Vazhdon operacioni i kërkimit për 85-vjeçarin e zhdukur në Gorozhup të Prizrenit, Nebi Tejeci

24.06.2025

Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (ShKKSh) ka njoftuar se po vazhdon operacioni i kërkimit për gjetjen e 85-vjeçarit Nebi Tejeci, i cili është raportuar i zhdukur në fshatin Gorozhup të komunës së Prizrenit.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, njësitet e zjarrfikësve dhe vullnetarët lokalë, janë angazhuar intensivisht në terren për të lokalizuar të moshuarin.

“Ftojmë qytetarët që posedojnë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në këtë drejtim, të kontaktojnë autoritetet përkatëse sa më parë, në numrat e telefonit 112 ose 045/112-102”, thuhet në apelin e Shoqatës.

ShKKSh ka theksuar se operacioni i kërkimit do të vazhdojë pa ndërprerje deri në gjetjen e personit të zhdukur.

“Falënderojmë të gjithë për mbështetjen dhe solidaritetin!”, përfundon njoftimi.