Bastisje në Zveçan: Gjendet arsenal armësh në objektin e politikanit serb, Aleksandar Arsenijevic

22.06.2025

Njësitet relevante të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Prokurorinë, me monitorim nga KFOR-i dhe EULEX-i, kanë realizuar sot një bastisje të suksesshme në fshatin Vallaq të Zveçanit.

Gjatë operacionit, forcat e rendit kanë zbuluar një arsenal të madh armësh, përfshirë raketahedhës dore (zolla), granata dore, pajisje të tipit tromblonë, armë të ndryshme dhe sasi të konsiderueshme municioni. Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ky arsenal ishte i mjaftueshëm për të furnizuar një tërë njësi terrorist.

Ministri Sveçla ka konfirmuar se armatimi i rëndë është gjetur në një objekt që, sipas informacioneve të pranuara, i përket politikanit serb në Kosovë, Aleksandar Arsenijevic.

“Krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh. Veçanërisht përballë institucioneve tejet vigjilente e profesionale që po punojnë pa u ndalur në ofrimin e sigurisë e sundimit të rendit e ligjit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës,” theksoi Sveçla.

Ai shtoi se institucionet e sigurisë nuk do të ndalen derisa të realizohet çrrënjosja e plotë e “mbetjeve kriminale e terroriste të Serbisë” nga Kosova.

Operacioni i sotëm konsiderohet një nga më të rëndësishmit në luftën kundër strukturave ilegale dhe elementeve të rrezikshme që kërcënojnë sigurinë dhe rendin në vend.