Shpërthim në një pishinë në Gjakovë, hedhet granatë dore, shkaktohen dëme materiale
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në qytetin e Gjakovës, ku është raportuar për një shpërthim në një pishinë, si pasojë e hedhjes së një granate dore.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali Policia e Kosovës, nga Rajoni i Gjakovës.
Sipas autoriteteve, shpërthimi ka ndodhur më 19 qershor, rreth orës 22:45 në mbrëmje. Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale në objektin ku ka ndodhur shpërthimi.
“Sot më datë 20.06.2025 është raportuar për një shpërthim të ndodhur në një pishinë në qytetin e Gjakovës, ku punon ankuesi – shtetas mashkull kosovar. Sipas informacioneve të para, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e kaluar, më 19.06.2025, rreth orës 22:45. Nga ky shpërthim janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar“, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në lidhje me rastin, policia ka bërë të ditur se, në koordinim me prokurorin kujdestar, është iniciuar procedura hetimore nën dyshimin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Hetimet për identifikimin e autorëve të këtij akti të rrezikshëm janë në zhvillim e sipër, ndërsa autoritetet kanë shtuar praninë në zonë për të garantuar sigurinë e qytetarëve.