Mungesë e madhe e energjisë nga nesër, KESCO bën thirrje urgjente për kursim

20.06.2025

Nga nesër, 21 qershor, Kosova pritet të përballet me një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike, ka njoftuar kompania furnizuese me energji elektrike, KESCO.

Sipas njoftimit zyrtar, në skenarin më të keq, e gjithë energjia e nevojshme për konsumatorët do të duhet të sigurohet përmes importit. Kjo situatë paraqet sfida të mëdha, si teknike ashtu edhe financiare, për furnizimin stabil të rrjetit energjetik të vendit.

“KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar sasinë e nevojshme të energjisë dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem, pavarësisht kostos së lartë dhe sfidave logjistike në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, kompania paralajmëron se importimi i një sasie kaq të madhe të energjisë është shumë i vështirë dhe ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin dhe koston e sistemit.

Për këtë arsye, KESCO u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të fillojnë menjëherë me masa të kursimit të energjisë elektrike, në mënyrë që të zbutet ndikimi i kësaj situate.

“Importimi i energjisë në këtë shkallë është i vështirë dhe me kosto të lartë. Për të minimizuar ndikimin, u bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme për kursimin e energjisë”, thekson KESCO.