Aksion antidrogë në Gjilan, kapet sasi e madhe duhani kontrabandë me vlerë 12 mijë euro
Policia e Kosovës, përmes Njësisë së Task Forcës në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Rajonale të Drejtorisë Rajonale të Kufirit – Lindje (DRK Lindje), ka intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në zonën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës.
Më datë 3 qershor 2025, pas marrjes së informacioneve për mallra të kontrabanduara, u kontaktua prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan. Me urdhër të tij, u realizua një kontroll në një shtëpi dhe objektet përcjellëse në komunën e Gjilanit.
Gjatë këtij kontrolli, u gjetën mallra të dyshuara si të kontrabanduara, konkretisht një sasi e madhe e duhanit të përpunuar dhe të gatshëm për treg, të markave të ndryshme, me një peshë të përgjithshme mbi 600 kg. Këto mallra dyshohet se janë futur në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve ilegale.
Vlera e përgjithshme e mallit në treg kap shifrën rreth 12,000.00 euro, ndërsa shmangia e detyrimeve doganore llogaritet të jetë rreth 30,000.00 euro.
Mallrat e sekuestruara janë transportuar në terminalin doganor për trajtim të mëtejshëm, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga njësia kompetente policore. Ky aksion tregon angazhimin e Policisë së Kosovës në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.