Fluks i madh udhëtarësh në Morinë drejt bregdetit

31.05.2025

Fundjava dhe rritja e temperaturave kanë sjellë një fluks të konsiderueshëm udhëtarësh në pikën kufitare të Morinës, me shumë qytetarë që po nisen drejt bregdetit shqiptar për pushimet verore.

Falë marrëveshjes për lëvizjen e lirë midis Kosovës dhe Shqipërisë, këtë fundjavë është arritur të shmanget krijimi i radhëve të gjata në kufi, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e qytetarëve.

Për të përballuar fluksin e shtuar, në kufirin Morinë–Vërmicë janë vënë në dispozicion gjithsej 8 sportele në hyrje dhe 8 sportele në dalje. Kjo ka mundësuar një proces më të shpejtë dhe efikas të kalimit kufitar. Njëkohësisht, autoritetet kanë intensifikuar kontrollet me qëllim parandalimin e kalimeve të mundshme të paligjshme.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, nga pika kufitare e Morinit kanë kaluar gjithsej 27,787 udhëtarë, duke përfshirë hyrjet dhe daljet nga territori shqiptar. Përveç udhëtarëve, janë regjistruar edhe rreth 8,500 automjete dhe 87 autobusë.

Të dhënat e detajuara për 24 orët e fundit tregojnë:

  • Hyrje në Shqipëri: 14,976 shtetas me 4,546 automjete dhe 87 autobusë.
  • Dalje nga Shqipëria: 12,811 shtetas me 4,050 automjete.

Ky fluks i madh dëshmon për lidhjet e forta dhe preferencën e qytetarëve për të kaluar pushimet në Shqipëri, ndërsa masat e marra në kufi kanë ndihmuar në një kalim më të lehtë dhe më të shpejtë.