I dyshuari kërcënon me kallash gjyqtaren dhe palët në seancë civile në Pejë, shpallet në kërkim
Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë një seance civile në Pejë, ku një person, në cilësinë e palës në procedurë, dyshohet se ka kërcënuar me armë zjarri të gjitha palët e pranishme, përfshirë edhe gjyqtaren.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për Gazetën Express se i dyshuari është arratisur menjëherë pas incidentit dhe aktualisht ndodhet në kërkim nga autoritetet policore.
Sipas Nikçit, pas ngjarjes, me autorizim të prokurorit, është bastisur shtëpia e të dyshuarit, në përpjekje për të gjetur prova dhe për ta arrestuar atë.
“Në Banjë të Pejës gjatë një seance civile, kanë qenë të pranishëm gjitha palët si dhe gjyqtarja. Njëra palë ka dalë me kallash dhe e ka kanosur gjitha palët, përfshirë edhe gjyqtaren. I njëjti është arratisur nga vendi i ngjarjes, i është bastisur shtëpia me autorizim të prokurorit dhe për momentin është në kërkim nga policia e Kosovës për t’u arrestuar”, ka deklaruar Nikçi për Express.
Ky akt i rëndë kërcënues ndaj sistemit të drejtësisë dhe sigurisë së personave në një ambient gjyqësor ka ngjallur shqetërim të madh. Policia e Kosovës është angazhuar në kërkimin intensiv të personit të dyshuar me qëllim arrestimin e tij dhe vënien para drejtësisë. Detaje të tjera lidhur me motivet dhe identitetin e plotë të të dyshuarit pritet të bëhen të ditura pas arrestimit të tij.