Nis modernizimi i njësisë B2 në KEK, synohet modernizim dhe efikasitet

28.04.2025

Ka nisur zyrtarisht procesi i modernizimit të njësisë B2 në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), një investim i rëndësishëm që synon rritjen e efikasitetit dhe uljen e ndotjes.

Me këtë rast, kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, dhe ministrja e Ekonomisë në dorëheqje, Artane Rizvanolli, vizituan termocentralin Kosova B, ku u pritën nga Ushtruesi i Detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Gramos Hashani.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, ky është riparimi dhe modernizimi i parë i këtij niveli që po ndodh në termocentralet ekzistuese të KEK-ut. Projekti pritet të sjellë një rritje të kapacitetit për njësi, duke gjeneruar një prodhim vjetor shtesë prej mbi 600 GWh. Përveç kësaj, modernizimi do të sigurojë një operim më të sigurt dhe më efikas të njësive të TC Kosova B. Realizimi i këtyre projekteve bazohet në studimin e fizibilitetit për TC “Kosova B” dhe synon përmbushjen e kërkesave mjedisore, duke reduktuar ndotjen e ajrit dhe duke u harmonizuar me standardet e Direktivave të Bashkimit Evropian (BE) për emisionet e pluhurit dhe gazrave.

Kryeministri Kurti shprehu mbështetjen e tij për këtë iniciativë. “Unë ju përgëzoj shumë për këtë modernizim të turbinave në Termocentralin Kosova B, edhe të njësisë B1 edhe B2, të cilat janë të sekuencura në kohë, në mënyrë që ta kemi maksimumin e prodhimtarisë, po në të njëjtën kohë ta shtojmë edhe prodhimtarinë edhe sigurinë, edhe efikasitetin, e ta ulim ndotjen,” u shpreh Kurti.

Ministrja Rizvanolli theksoi përfitimet afatgjata të këtij investimi. “Kur të përfundojnë të gjitha punimet për rehabilitimin e Termocentralit “Kosovës B”, jetëgjatësia e tij do të shtohet edhe për 20 vjet, ndotja nga pluhuri dhe oksidet e azotit do të ulen për 60%, kurse remontet kapitale do të nevojiten që të bëhen një herë në 10 vjet, në vend se çdo pesë vjet,” tha Rizvanolli, duke nënvizuar impaktin pozitiv në mjedis dhe stabilitetin e energjisë.