Nesër vazhdon seanca, LVV dhe PDK të gatshme për zgjedhje
Pak çaste para se të dështonte dy herë radhazi për të marrë votat e nevojshme për kryetare të Kuvendit të Kosovës, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se partia e saj është e gatshme të shkojë në zgjedhje të reja më 15 ose 22 qershor.
Këto komente Haxhiu i bëri pasi tha se kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, kishte përmendur zgjedhjet si një zgjidhje të mundshme për ngërçin politik.
“Po, jemi gati të shkojmë në zgjedhje”, u shpreh shkurt deputetja e Vetëvendosjes.
Pavarësisht deklarimeve të përsëritura se i kanë numrat për kryekuvendarin dhe qeverinë, Lëvizjes Vetëvendosje po i mungojnë votat për të siguruar postin e parë të Kuvendit. Nesër pritet tentativa e katërt për konstituimin e plotë të Kuvendit, me kandidaturën e Albulena Haxhiut që prapë do të hidhet në votim.
Në një koment për RTK-në, njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku, tha se Vetëvendosje duhet ta kuptojë se qytetari nuk i dha mandat të plotë për të qeverisur i vetëm.
“Taktizime ka nga të gjitha palët, dhe mundësia për të përparuar nesër në drejtim të përmbylljes së kësaj sage, nuk shoh diçka të konkretizuar,” u shpreh Maloku.
Ai shtoi se asnjëra palë dhe asnjëri kandidat nuk po tregon qartësi dhe kompetencë për të udhëhequr vendin në këto rrethana, duke theksuar se përgjegjësinë e ka fituesi i zgjedhjeve.
Ndërkohë, analisti Blerim Canaj ngriti dyshime rreth vullnetit të Kurtit për të formuar qeverinë.
“Kam përshtypjen që edhe vet Kurti, nganjëherë, nuk po është i interesuar ta bëjë qeverinë. Gjithmonë është gjetur një gjuhë e përbashkët, por disi po tenton që të shkojmë edhe njëherë në zgjedhje, bashkë me zgjedhjet komunale,” u shpreh Canaj.
Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se do të ngrejë kallëzime penale për çdo vendim të marrë nga anëtarë të Qeverisë që janë njëkohësisht edhe deputetë, që nga data 27 mars.
Skena politike mbetet e tensionuar dhe pa një marrëveshje konkrete, ndërsa vendi përballet me pasiguri institucionale dhe mundësi reale për të shkuar sërish në zgjedhje.