Nesër seanca konstituive e Kuvendit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit për ditën e martë, 11 shkurt, në orën 12:00.
Nga Presidenca është bërë e ditur se ky vendim është marrë pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare, duke pasur parasysh nevojën urgjente për formimin e institucioneve të reja, miratimin e buxhetit si dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke vlerësuar urgjencën për krijimin e institucioneve, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të mbahet më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Vendimi për caktimin e seancës vjen një ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
