Rutte: Serbia të mbajë përgjegjës autorët e sulmeve në Banjskë dhe ndaj KFOR-it
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka ritheksuar se autorët e sulmit në Banjskë dhe atij ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës më 2023 duhet të mbahen përgjegjës, dhe se për këtë duhet të punojë Serbia.
Rutte ka theksuar se duhet bërë përpjekje që situata në Kosovë të mbetet e qëndrueshme. “Situatën e sigurisë në Kosovë e përcjellim nga afër dhe duhet të sigurohemi se situata që nga 1999 që është shumë më e qëndrueshme tani, të vazhdojë.
Sa i përket Banjskës dhe sulmit ndaj trupave të KFOR-it, serbët duhet të punojnë për përgjegjësi. E kemi folur këtë me Vuçiçin në telefon por edhe kur drekuam në Bruksel dy javë më parë”, ka thënë ai në një konferencë për media në Bruksel.
Rutte është pyetur nëse NATO është konsultuar paraprakisht për një marrëveshje bashkëpunimi në mbrojtje mes Serbisë dhe Hungarisë të nënshkruar më 1 prill, dhe ai është përgjigjur se aleanca nuk është konsultuar. Ai ka përmendur edhe marrëveshjen e bashkëpunimit mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.