Aksion policor në Mitrovicë, prokuroria kërkon paraburgim për tetë të arrestuarit
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për tetë personat e arrestuar në aksionin e gjerë policor të zhvilluar në 21 lokacione në rajonin e Mitrovicës. Aksioni, i cili u realizua më 19 mars, rezultoi me sekuestrimin e një arsenali armësh dhe municionesh.
Sipas njoftimit të prokurorisë, gjatë aksionit u sekuestruan:
- 9 armë zjarri
- 200 fishekë
- Municione të ndryshme
- 15 telefona celularë
- 2 palë pranga
- Një thikë
- Tyta armësh
- Fatrolla për armë
- 1 DVR
Prokuroria ka ngritur akuza të ndryshme ndaj të arrestuarve. Për të pandehurit B.H., I.P., dhe O.B., është paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Detyrimi” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo material plasëse”.
Ndërsa, për të pandehurit A.S., T.R., A.B., Sh.S., dhe N.R., është paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo material plasëse”.
Seanca për caktimin e paraburgimit për tetë të akuzuarit do të mbahet ditën e sotme, më 20 mars 2025.