Gjermania i bën thirrje Kosovës për formim të shpejtë të qeverisë dhe angazhim në dialog

06.03.2025

Gjermania ka bërë thirrje për formimin e shpejtë të qeverisë së re në Kosovë dhe angazhimin aktiv të saj në dialogun me Serbinë.

Manuel Sarrazin, i dërguari special i qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, ka theksuar rëndësinë e këtij procesi në një deklaratë të djeshme.

“Do të dëshironim që të krijohet shpejt qeveria e re dhe ajo të angazhohet në mënyrë aktive në dialog”, ka deklaruar Sarrazin, duke vënë theksin në nevojën për stabilitet dhe progres në rajon.

Këto qëndrime të Sarrazin janë mbështetur plotësisht nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë, e cila ka theksuar se tani është koha që partitë politike në Kosovë të vënë përpara interesin e vendit dhe të punojnë së bashku.

“Ne jemi plotësisht dakord me mendimet e Dërguarit të Posaçëm Sarrazin në intervistën e tij të fundit. Tani është koha që partitë kosovare të vënë përpara interesin e vendit dhe të punojnë së bashku”, është shkruar në një deklaratë nga ambasada.

Thirrja e Gjermanisë vjen në një kohë kur dialogu Kosovë-Serbi ndodhet në një fazë kritike dhe ka nevojë për angazhim të ripërtërirë nga të dyja palët. Formimi i shpejtë i qeverisë së re në Kosovë dhe angazhimi i saj aktiv në dialog konsiderohen thelbësore për të ecur përpara në këtë proces.