ATK trajnon noterët e rinj për detyrimet tatimore

24.02.2025

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në bashkëpunim me Odën e Noterëve të Republikës së Kosovës, ka organizuar një trajnim të dedikuar për noterët e rinj, me qëllim të ngritjes së njohurive të tyre mbi detyrimet tatimore dhe rolin e noterëve në përmbushjen e tyre.

Trajnimi, i cili u zhvillua më 22 shkurt 2025, mbuloi tema kyçe lidhur me legjislacionin tatimor, procesin e deklarimit dhe pagesës së tatimeve, si dhe përgjegjësitë ligjore të noterëve në raport me ATK-në. Fokusi kryesor i trajnimit ishte në kriteret e përmbushjes së detyrimeve tatimore, si regjistrimi, dokumentimi, deklarimi dhe pagesa.

Sami Salihu, U.d. Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i ATK-së, në hapje të trajnimit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet noterëve dhe ATK-së, duke theksuar se një qasje e drejtë dhe profesionale ndaj detyrimeve tatimore ndihmon në forcimin e sistemit fiskal dhe rritjen e transparencës.

Gjatë sesionit interaktiv, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë raste praktike dhe të marrin përgjigje direkte nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i ATK-së lidhur me çështjet tatimore që prekin aktivitetin e tyre profesional, si dhe përgjigje për pyetje të tjera në lidhje me legjislacionin tatimor.