“Trepça” ndërpret marrëdhënien e punës me punëtorin që shkaktoi dëme mbi 27 mijë euro

24.02.2025

Ndërmarrja “Trepça” Sh.A. ka njoftuar zyrtarisht për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me punëtorin me inicialet SH.S.

Vendimi është marrë pas konstatimit nga komisioni i disiplinës se punëtori në fjalë ka kryer shkelje të rënda të detyrave të punës, duke i shkaktuar ndërmarrjes dëme financiare të konsiderueshme.

Sipas komunikatës së lëshuar nga “Trepça”, shqyrtimi publik i rastit është mbajtur më 24 shkurt 2025, ku komisioni i disiplinës ka vërtetuar se SH.S. ka shkelur nenin 10, paragrafin 1, nënparagrafët 1.1, 1.5, 1.13 dhe 1.52 të Rregullores nr.prot: 2906 dt. 30.07.2020 për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të “Trepça” Sh.A.

“Komisioni i disiplinës ka vërtetuar se ai ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës, për shkak se ai i ka shkaktuar dëm financiar ndërmarrjes ‘Trepça’ Sh.A., mbi 27,472.00 euro, dhe i njëjti ka qenë recidivist i shkeljeve të rënda të detyrave të punës dhe në disa raste të tjera e gjithë kjo e bazuar në raportin 983 nga komisionet përkatëse”, thuhet në komunikatë.

Bazuar në provat e paraqitura dhe pas shqyrtimit të rastit, komisioni i disiplinës ka marrë vendimin nr.prot: 1198 të dt. 24.02.2025, duke shqiptuar masën disiplinore të ndërprerjes së marrëdhënies së punës për SH.S.