Ambasadori Orav takohet me përfaqësues të komuniteteve jo-shumicë në Prizren
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Aivo Orav, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm të mërkurën në Prizren me përfaqësues politikë të komuniteteve jo-shumicë.
Takimi, i organizuar me ftesë të ambasadorit Orav, ka mbledhur liderë të subjekteve politike nga komunitetet jo-shumicë në Prizren për të diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme.
Sipas kryetarit të PREBK-së, Albert Kinolli, një nga temat kryesore të diskutimit ishin zhvillimet e fundit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës. Përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë kanë shkëmbyer mendime dhe shqetësime në lidhje me procesin zgjedhor dhe ndikimin e tij në komunitetet e tyre.
“Kisha nderin dhe kënaqësinë që me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian dhe Shefit të Zyrës së BE-së, Ambasadori Aivo Orav, të marrë pjesë në drekë pune, së bashku me kolegët liderë të komuniteteve tjera jo-shumicë,” ka shkruar Kinolli në rrjetet sociale. Ai ka shtuar se takimi ka shërbyer si një platformë e rëndësishme për të diskutuar angazhimin e komuniteteve jo-shumicë në qeverisjen lokale në Prizren, si dhe zhvillimet paszgjedhore, formimin e institucioneve dhe rolin e komuniteteve jo-shumicë në skenën politike të Kosovës.
Ambasadori Orav ka realizuar disa takime të tjera gjatë qëndrimit të tij në Prizren, duke theksuar angazhimin e BE-së për të mbështetur zhvillimin e Kosovës dhe integrimin e të gjitha komuniteteve në jetën politike dhe institucionale të vendit.