Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian Aivo Orav takon liderët e partive, BE-ja kërkon reforma pas zgjedhjeve
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka zhvilluar takime të ndara me krerët e partive kryesore politike në vend, pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit.
Orav ka takuar Albin Kurtin (LVV), Memli Krasniqin (PDK), Lumir Abdixhikun (LDK) dhe Ramush Haradinajn (AAK), me qëllim të diskutimit të hapave të ardhshëm pas procesit zgjedhor.
Në fokus të takimeve ka qenë integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, një aspiratë që, sipas Orav, ndahet nga shumica dërrmuese e qytetarëve kosovarë.
Ai ka theksuar rëndësinë e ndjekjes aktive të reformave të nevojshme nga qeveria e re, në mënyrë që ky objektiv të arrihet.
“Mbajta takime të veçanta me Albin Kurtin, Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn për të diskutuar hapat e ardhshëm pas zgjedhjeve,” ka deklaruar Orav, duke shtuar se “Theksova se shumica dërrmuese e njerëzve në Kosovë aspirojnë të anëtarësohen në BE.
Qeveria e re duhet të ndjekë në mënyrë aktive reformat për ta realizuar këtë.”
Takimet e Orav vijnë në një kohë kur Kosova po përballet me sfida të ndryshme, përfshirë zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe dialogun me Serbinë.
BE-ja ka qenë një partner i rëndësishëm i Kosovës në këto përpjekje, dhe mesazhi i Orav tregon se Bashkimi Evropian pret angazhim të qartë nga qeveria e re për të çuar përpara procesin e integrimit.