Zbardhet pas 17 vitesh vjedhja e 4 milionë eurove në Greqi, dy shtetas nga Kosova në kërkim

13.02.2025

Pas 17 vitesh hetime, policia greke ka arritur të zbulojë përgjegjësit e një vjedhjeje spektakolare që ndodhi në vitin 2008 në një filial banke në Kifisia, afër Athinës.

Sipas raportimeve, në lidhje me këtë ngjarje janë shpallur në kërkim dy shtetas nga Kosova: Basri Berisha, alias Basri Ramadani, 53 vjeç, dhe Sinan Beqiroski, alias Sinan Bekjiroski, 54 vjeç.

Si ndodhi vjedhja?

Në atë kohë, autorët, të cilët nuk ishin identifikuar deri më sot, hynë në ambientet e bankës pasi thyen një dritare. Ata arritën të hapin kasafortën qendrore, duke marrë para dhe sende me vlerë që kapnin shifrën e 4 milionë eurove.

E kaluara kriminale e njërit prej të dyshuarve

Hetimet e mëvonshme të kryera nga Drejtoria e Hetimeve Kriminale zbuluan se 53-vjeçari Basri Berisha (Ramadani) ka qenë i përfshirë edhe në disa krime të tjera në Greqi. Konkretisht, ai ka marrë pjesë në një tentativë vjedhjeje në vitin 2009 në një filial banke në Athinë, si dhe në vjedhjen e një kasaforte dhe një bankomati në vitin 2010 në një supermarket në Kretë.

Aktualisht, ai po mbahet në një qendër paraburgimi në Francë, pasi më herët ka qenë i arrestuar nga autoritetet gjermane dhe kosovare për vepra të ngjashme.

Operacioni i policisë greke

Policia greke ka intensifikuar kërkimet për kapjen e dy të dyshuarve dhe pritet që bashkëpunimi me autoritetet ndërkombëtare të ndihmojë në ekstradimin dhe vendosjen e tyre përpara drejtësisë.