BE po shqyrton ndryshime në dialogun Kosovë-Serbi, Kallas premton vlerësim të formatit aktual

13.02.2025

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka njoftuar se po dëgjon kritika rreth formatit aktual të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka paralajmëruar se do të shqyrtojë mundësinë e ndryshimeve në këtë proces, së bashku me të dërguarin e ri të BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

“Sapo kemi emëruar një përfaqësues të posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe, unë do të ulem me të në mars, për të parë se si do të vazhdojmë me këtë,” tha Kallas në një bisedë me grupin “Redaksia Evropiane”, ku bëjnë pjesë rreth 20 agjenci evropiane të lajmeve.

Kallas theksoi se dëshiron të gjejë një mënyrë për ta bërë dialogun më funksional. Ajo ka diskutuar këtë çështje edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë, i cili, sipas saj, është i gatshëm të investojë kohë në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo deklaratë e Kallas vjen në një kohë kur dialogu Kosovë-Serbi po përballet me sfida të shumta dhe kritika për mungesë progresi. BE-ja ka shprehur vazhdimisht angazhimin e saj për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes dy vendeve, e cila do të normalizonte marrëdhëniet dhe do të hapte rrugën për integrimin e tyre në BE.