1500 euro gjobë për Koalicioni për Familjen, kandidatja Dorontina Kokollari vendosi jashtëligjshëm postera në Suharekë
PZAP ka vendosur në favor të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në një ankesë të ngritur kundër Koalicionit për Familje.
Në vendimin e tij, PZAP ka gjetur se Koalicioni për Familje ka shkelur Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike duke vendosur në mënyrë të paligjshme postera të kandidates së tyre në hapësira publike.
LVV kishte ngritur ankesë ndaj Koalicionit për Familje, duke pretenduar se ky i fundit kishte vendosur postera të kandidates së tyre në shtyllat elektrike në rrugën “Xhavit Bajraktari” në Suharekë. Sipas LVV-së, një veprim i tillë është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili ndalon vendosjen e materialeve propaganduese në hapësira publike pa leje.
Koalicioni për Familje nuk u përgjigj akuzave të LVV-së brenda afatit të përcaktuar.
Pas shqyrtimit të provave të paraqitura nga LVV, të cilat përfshinin fotografi të posterave të vendosura në mënyrë të paligjshme, PZAP konstatoi se ankesa ishte e bazuar. Komisioni vlerësoi se Koalicioni për Familje kishte shkelur qartë dispozitat ligjore duke vendosur posterat në hapësira publike pa leje.
Si pasojë e këtij shkeljeje, PZAP dënoi Koalicionin për Familje me një gjobë prej 1,500 euro.
“Paneli, nga fotografitë e ofruara si provë nga parashtruesi i ankesës, të cilat gjenden në shkresat e lëndës, në mënyrë të padyshimtë ka konstatuar se vendosja e posterit e kandidates për deputete nga radhët e subjektit politik Koalicioni për Familjen, Dorontina Kokollari, ka shfrytëzuar jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore hapësirat publike konkretisht në shtyllën elektrike në rrugën “Xhavit Bajraktari” në komunën e Suharekës” thuhet në vendimin e PZAP-së.