Sot shënohet 19-vjetori i vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova
Sot shënohen 19 vjet nga vdekja e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë më 21 janar 2006.
Për nder të kësaj dite, janë organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore nën kujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me pjesëmarrjen e personaliteteve të rëndësishme nga vendi dhe jashtë tij.
Sipas njoftimit të Presidencës, aktivitetet kanë nisur në orën 09:00 me homazhe pranë varrit të Presidentit Rugova në Velani, ku Presidentja Osmani, së bashku me ambasadorët e akredituar në Kosovë, nderuan figurën e tij të paharrueshme.
Në orën 11:00 është planifikuar të mbahet Akademia Përkujtimore për Ibrahim Rugovën, ku do të kujtohen arritjet dhe kontributi i tij në krijimin e shtetit të Kosovës. Pas ceremonisë, do të hapet një ekspozitë e fotografive të presidentit Rugova, e kuruar nga fotografi Hazir Reka.
Po ashtu, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të zhvillojë aktivitete përkujtimore për nder të ish-udhëheqësit të partisë së tij. Në orën 10:00, Abdixhiku ka parashikuar të bëjë homazhe pranë varrit të Rugovës, për të vijuar më pas me një vizitë në familjen Rugova.
Në orën 12:00, Fondacioni “Ibrahim Rugova” do të promovojë librin më të ri të përgatitur nga Ndue Ukaj, me titullin “Rugova prijësi intelektual”. Ky promovim pritet të jetë një moment i rëndësishëm për të kujtuar dhe vlerësuar më tej figurën e Rugovës si udhëheqës dhe intelektual.
Presidenti Ibrahim Rugova mbetet një nga figurat më të ndritura dhe më të respektuara të historisë së Kosovës, i njohur për qasjen e tij paqësore dhe vizionin për një shtet të pavarur dhe demokratik. 19-vjetori i vdekjes së tij është një moment reflektimi dhe nderimi për trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme.