Abdixhiku: Rugova nuk sundoi me frikë, por udhëhoqi me besim – sot e kuptojmë sa pak e kuptuam atëherë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar figurën e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, duke theksuar se udhëheqja e tij ishte e bazuar në shërbim, besim dhe qetësi, e jo në frikë apo imponim.
Foto: Ilustrim
Në një postim në Facebook, Abdixhiku shkruan se Rugova nuk kërkoi kurrë të sundojë, por të shërbejë, duke ndërtuar autoritetin e tij mbi sigurinë që u jepte qytetarëve.
“Njerëzit nuk e ndiqnin sepse i trembte, por sepse u jepte siguri. Dhe kjo është forma më e lartë e udhëheqjes”, ka theksuar ai.
Sipas Abdixhikut, stili i Rugovës shpesh ishte i keqkuptuar në kohën e vet, pasi ai dukej i qetë në kohë të trazuara, i butë në kohë të ashpra dhe i heshtur mes zhurmës politike.
Megjithatë, ai vlerëson se sot është e qartë se kjo qetësi ishte forcë, kjo butësi ishte strategji, ndërsa heshtja e tij ishte zgjedhje e vetëdijshme politike.
“Sot e kuptojmë sa pak e kemi kuptuar atëherë”, përfundon Abdixhiku, duke nënvizuar rëndësinë historike dhe politike të vizionit të Rugovës për Kosovën.
