Totaj: Banorët e dëmtuar nga shpërthimi në Prizren do të kompenzohen

03.01.2025

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se Komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga incidenti me mjete piroteknike në lagjen “Bazhdarhane” ka qenë sot në terren për të informuar banorët e prekur nga ngjarja.

Totaj bëri të ditur se banorët e dëmtuar duhet që brenda një afati prej 7 ditësh, sipas legjislacionit në fuqi, të parashtrojnë kërkesat e tyre në Drejtorinë e Emergjencave dhe Sigurisë për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarri.

Incidenti, i cili ndodhi më 1 janar, ka lënë një person rëndë të lënduar. Sipas njoftimeve nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), i lënduari po trajtohet në repartin e Intensivës dhe gjendja e tij vazhdon të jetë shumë e rëndë.

Zjarri gjithashtu ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në banesa, lokale dhe automjete në zonën përreth. Kryetari Totaj ka siguruar qytetarët se institucionet komunale do të vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe do të mbështesin banorët në përballimin e kësaj situate të vështirë.

Komuna e Prizrenit u bën thirrje qytetarëve të ndjekin procedurat ligjore për të siguruar vlerësimin dhe kompensimin e mundshëm të dëmeve.