Poema dhe Diamanti, foshnjat e para të 2025-ës në Kosovë – Kurti dhe Vitia vizituan spitalin pas mesnatës
Kosova mirëpriti dy foshnja të para të vitit 2025 pas ndërrimit të motmotit.
Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shkuan pas mesnatës në spital për të vizituar Poemën dhe Diamantin, dy foshnjat e porsalindura që shënuan fillimin e një viti të ri me gëzim për familjet e tyre.
Kryeministri Kurti ndau emocionet nga vizita përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi gjendjen e mirë shëndetësore të foshnjave dhe nënave të tyre.
“Menjëherë pas mesnatës iu bashkuam gëzimit të zonjës Teutë për vajzën e saj Poemën dhe zonjës Fortesë për djalin e saj Diamantin, që erdhën në jetë të parët gjatë ndërrimit të motmoteve. Edhe nënat edhe foshnjat ishin shumë mirë me shëndet. Ne u uruam mbarësi dhe jetë të gjatë bashkë me familjet e tyre,” tha Kurti.
Mbështetja për nënat dhe fëmijët, prioritet i Qeverisë
Kryeministri Kurti gjatë vizitës theksoi angazhimin e Qeverisë për mbështetjen e nënave dhe fëmijëve, duke theksuar se kjo politikë do të vazhdojë të jetë prioritet edhe në vitin 2025.
“Jemi qeveria që më së shumti ka pasur në fokus politikat dhe mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët, dhe do të vazhdojmë kësisoj edhe në këtë vit që sapo hymë. Investimi dhe mbështetja e vazhdueshme e gjithnjë më e madhe për ta është qenësore për popullin dhe të ardhmen tonë,” deklaroi ai.