Kryeministri Kurti: Krahasuar me vitin 2021, ekonomia është rritur për rreth 30 për qind

30.12.2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në Konferencën Vjetore 2024, organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku u diskutua për progresin në mbështetjen e bizneseve gjatë këtij viti dhe planet për vitin 2025.

Në këtë konferencë, Kurti zhvilloi një bashkëbisedim me ndërmarrës, duke trajtuar arritjet, sfidat dhe përpjekjet e përbashkëta ndërmjet sektorit privat dhe Qeverisë për të fuqizuar ekonominë e vendit.

Progresi ekonomik dhe masat mbështetëse

Kryeministri veçoi rritjen mesatare ekonomike prej 6% gjatë katër viteve të fundit, dyfishimin e eksporteve dhe Investimeve të Huaja Direkte, rritjen e qarkullimit të bizneseve dhe të Bruto Produktit Vendor, që tani arrin në 10.3 miliardë euro. Ai theksoi gjithashtu borxhin publik më të ulët në Evropë, prej vetëm 17%, dhe shpenzimet kapitale rekord prej mbi 600 milionë euro këtë vit.

Qeveria ka rishpërndarë rreth 1.3 miliardë euro te qytetarët dhe bizneset gjatë tre viteve të fundit, pa krijuar borxhe të reja.

Masat konkrete për mbështetjen e bizneseve

Gjatë vitit 2024, Qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për të mbështetur ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si:

  • 20 milionë euro për mbështetje financiare të 711 ndërmarrjeve për rritjen e konkurrencës.
  • 12.4 milionë euro për subvencionimin e kredive investuese në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, duke mbështetur 450 biznese.
  • 3.2 milionë euro për ndërkombëtarizimin e 392 bizneseve përmes pjesëmarrjes në 51 panaire ndërkombëtare.
  • 36 milionë euro të investuara në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, duke garantuar 1,222 kredi për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme dhe duke krijuar 2,230 vende të reja pune.
  • Garantim deri në 3 milionë euro për investimet e mërgatës përmes “Dritares për Investime të Diasporës.”

Mbështetje për inovacionin dhe arsimin

Qeveria ka promovuar inovacionin dhe digjitalizimin, duke mbështetur startup-et dhe ndërmarrjet që sjellin ide të reja teknologjike. Gjithashtu, janë ndarë mbi 6,000 bursa për studentë në fushat STEM dhe është avancuar arsimi dual në 12 profile profesionale, në 25 shkolla dhe 15 komuna.

Fokus në të ardhmen

Kryeministri Kurti përfundoi duke inkurajuar bizneset që të vazhdojnë angazhimin për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke theksuar se Qeveria do të jetë një partner i fuqishëm në mbështetjen e tyre.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim bizneset dhe të punojmë së bashku për një industri që prodhon jo vetëm për tregun vendor, por edhe për atë ndërkombëtar,” tha Kurti.

Konferenca u përmbyll me një zotim për vazhdimësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese në vitin 2025 dhe më tej.