Sulm me thikë në Prizren: Katër të arrestuar

30.12.2024

Një incident i rëndë ka ndodhur në rrugën Remzi Ademaj në Prizren, ku katër persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë sulmuar me thikë tre persona të tjerë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, rreth orës 1:40.

Sipas informacioneve të siguruara, pas një mosmarrëveshjeje, katër të dyshuar meshkuj kosovarë i kanë sulmuar fizikisht tre viktima, gjithashtu meshkuj kosovarë. Si rezultat i sulmit, viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për mjekim.

Gjatë hetimeve, policia ka gjetur dhe konfiskuar një thikë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë sulmit. Të katër të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë duke vazhduar. Policia po punon për të zbuluar motivet e sulmit dhe për të identifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë incident.