Kryeministri Kurti: Radoiçiqi ka rekrutuar dy persona të afërt për të kryer sulme terroriste në Kosovë

24.12.2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar drejtpërdrejt Serbinë për organizimin e sulmeve në veri të vendit, duke përfshirë edhe sulmin me eksploziv në kanalin Ibër-Lepencë.

Sipas Kurtit, këto veprime kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe pengimin e zhvillimit të saj ekonomik.

Në një konferencë për media, Kurti ka deklaruar se shërbimet e sigurisë të Kosovës kanë informacione konkrete që lidhin drejtpërdrejt Milan Radoiçiqin, një figurë kyçe serbe në veri të Kosovës, me këto sulme. Më tej, Kurti ka akuzuar edhe dy bashkëpunëtorë të ngushtë të Radoiçiqit, Nemanja Rajdivoviqin dhe Vladimir Rajdivoviqin, për përfshirje të drejtpërdrejtë në këto veprime.

“Sulmi në kanalin Ibër-Lepencë nuk ishte një incident i izoluar, por pjesë e një strategjie më të gjerë të Serbisë për të destabilizuar Kosovën,” ka deklaruar Kurti. “Qëllimi i tyre është të dëmtojnë ekonominë e Kosovës, të frikësojnë qytetarët dhe të pengojnë integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.”

Kurti ka theksuar se refuzimi i Serbisë për të dorëzuar Milan Radoiçiqin është një provë e qartë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të Beogradit në këto veprime destabilizuese. “Serbia po përpiqet të krijojë një zonë të tensionuar në veri të Kosovës dhe po kërcënon paqen dhe stabilitetin në rajon,” ka shtuar ai.