Murati: Procesohet subvencioni i energjisë elektrike për faturat e muajit nëntor

21.12.2024

Ministria e Financave ka njoftuar se subvencionet për faturat e energjisë elektrike të muajit nëntor janë procesuar me sukses.

Kjo do të thotë se të gjitha familjet që janë kualifikuar për këtë mbështetje financiare, tashmë mund të shohin reflektimin e subvencionit në llogarinë e tyre online të furnizuesit të energjisë elektrike, ose në faturën e ardhshme.

Kjo masë, e cila bëhet e mundur falë mbështetjes së Bashkimit Evropian, synon të lehtërojë ngarkesën financiare të familjeve të cënueshme, të cilat janë më të prekura nga rritjet e çmimeve të energjisë elektrike.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shprehur kënaqësinë për zbatimin e kësaj initiative, duke theksuar se qeveria është e përkushtuar të ndihmojë të gjithë qytetarët. “Qeveria për të gjithë! Vazhdojmë!”, ka shkruar Murati në rrjetet sociale.

Të gjithë përfituesit e këtij programi mund të verifikojnë në mënyrë të lehtë nëse subvencioni është aplikuar në faturën e tyre. Kjo mund të bëhet duke hyrë në llogarinë e tyre online të furnizuesit të energjisë elektrike, ose duke pritur faturën e ardhshme.