Seanca e përbashkët, Kurti dhe Haradinaj kërkojnë mbështetjen e Shqipërisë për antarësimin e Kosovës në NATO
Në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri Albin Kurti dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, shfaqën qëndrime të përbashkëta për rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën drejt integrimit euroatlantik.
Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës dhe Shqipërisë për proceset integruese në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ai deklaroi se të dy vendet janë modele të respektit për të drejtat e njeriut dhe kontribuese të paqes dhe sigurisë në rajon.
“Shqipëria dhe Kosova synojnë të jenë anëtare të denja të familjes euroatlantike. Ne besojmë se Shqipërinë e kemi në krah për të kaluar pengesat drejt anëtarësimit në NATO,” tha Kurti, duke vënë theksin te bashkëpunimi në fushën e sigurisë.
Ai nënvizoi sfidat që Kosova po përballet në procesin e njohjes ndërkombëtare, duke kritikuar qëndrimin e Serbisë dhe disa vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
Kurti theksoi nevojën për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO, duke argumentuar se kjo është bërë më urgjente për shkak të sulmeve të fundit terroriste dhe tensioneve të vazhdueshme me Serbinë.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë për integrimin euroatlantik, por kritikoi ashpër qeverinë aktuale të Kosovës për mënyrën si po trajton sfidat strategjike dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Ai kërkoi që Shqipëria të ndihmojë në avancimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke e konsideruar këtë një prioritet jetik për sigurinë e Kosovës.