Seanca e Përbashkët, Konjufca: Kosova dhe Shqipëria, të bashkuara në çdo rrethanë

20.12.2024

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka hapur fjalimin e tij në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë duke përmendur sulmet e grupeve serbe në veri të Kosovës, të ndodhura vitin e kaluar dhe këtë vit.

Ai theksoi se pavarësisht sfidave, Kosova dhe Shqipëria mbeten të bashkuara dhe të përkushtuara ndaj interesave kombëtare.

“Kosova dhe Shqipëria janë me njëra-tjetrën në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç se interesin kombëtar të kombit që për ne është i përbashkët,” tha Konjufca, duke nënvizuar solidaritetin e pakushtëzuar mes dy vendeve.

Në vijim të fjalimit, Konjufca falënderoi Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e saj të vazhdueshme në mbrojtjen e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi rolin aktiv të Shqipërisë në promovimin dhe mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës.

“E drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit, forcimin e ligjit, nuk mund të konsiderohen cenim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallëzim i raporteve me fqinjët. Është Serbia që nuk na e pranon as statusin e fqinjit, por ambiciet e saj hegjemoniste vazhdojnë të jenë të kodifikuara në Kushtetutë,” deklaroi ai.

Konjufca ritheksoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndodhë pa njohje reciproke. Ai shprehu bindjen se njohja do të realizohet, duke theksuar mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë.

“Nuk mund të ketë normalizim pa pasur njohje reciproke si dy subjekte sovrane. Ne themi vetëm kjo është zgjidhja për relacionin mes Kosovës dhe Serbisë dhe jemi të bindur se kjo do të ndodhë sepse e kemi në krah Republikën e Shqipërisë,” përfundoi Konjufca.