Rikthehet lëvizja e lirë Kosovë–Shqipëri, mijëra qytetarë kalojnë pa pritje në kufi
Ka hyrë në fuqi këtë të premte marrëveshja për lëvizjen e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e qytetarëve gjatë sezonit veror.
Marrëveshja do të mbetet aktive deri në muajin tetor dhe pritet të zbatohet sërish në dhjetor, janar dhe gjatë fundjavave.
Ajo parasheh kalim më të shpejtë në kufi, pa kontrolle të detajuara të dokumenteve, përveç rasteve të dyshuara.
Vetëm gjatë mëngjesit të sotëm, rreth 15 mijë shtetas kanë hyrë në Shqipëri, shumica nga Kosova. Për të përballuar fluksin, në pikën kufitare të Morinës janë vënë në funksion 11 sportele.
Sipas të dhënave zyrtare, në 24 orët e fundit kanë kaluar rreth 37 mijë qytetarë, prej të cilëve 25 mijë kanë hyrë në territorin shqiptar, duke shmangur pritjet e gjata falë zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
