Haxhi Shala pranon fajësinë dhe merr dënim prej 3 vjet burgim

18.12.2024

Ish-komandanti i UÇK-së, Haxhi Shala, ka arritur një marrëveshje me Prokurorinë e Specializuar (ZPS), duke pranuar fajësinë për akuzat e ngritura kundër tij.

Në një seancë gjyqësore të mbajtur sot, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia njoftoi se Shala do të dënohet me 3 vjet burgim.

Sipas marrëveshjes së arritur me ZPS-në, Shala ka pranuar të heqë dorë nga e drejta e apelit nëse dënimi nuk tejkalon 3 vjet burgim. Kjo do të thotë se ai nuk do të mund të kërkojë një gjykim të ri ose një dënim më të lehtë.

Gjykatësja Veldt-Foglia theksoi se Shala ka kuptuar plotësisht pasojat e marrëveshjes së tij dhe se vendimi për të pranuar fajësinë ka qenë i lirë dhe i vetëdijshëm.

Shala ishte akuzuar për frikësimin e një dëshmitari dhe pengimin e drejtësisë në lidhje me proceset e gjyqësore në Gjykatën Speciale. Me pranimin e fajësisë, ai ka shmangur një gjykim të gjatë dhe të kushtueshëm.