Kërcënoi policen për shkak të një gjobe, arrestohet qytetari nga Suhareka

16.12.2024

Një incident është regjistruar në Samadrexhë të Suharekës, ku një police është kërcënuar verbalisht nga një shofer pas një kontrolli rutinë në trafik.

Burimet kanë konfirmuar se incidenti ka ndodhur pasi policja e ka ndaluar shoferin për shkak të mosregjistrimit të veturës dhe përdorimit të targave false.

Pas marrjes së masës administrative, shoferi ka reaguar me agresivitet të lartë, duke drejtuar fjalë kërcënuese ndaj polices femër. Sipas dëshmive, ai i është drejtuar asaj me fjalët: “E merr vesh kush jom unë, veç je femër se ndryshe kisha vepru…”.

Për fat të mirë, një njësi tjetër policore ka ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes, duke arrestuar shoferin dhe duke e shoqëruar në stacionin policor.

Prokurori i Shtetit, pas marrjes në pyetje të të dyshuarit, ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj tij dhe ka filluar hetimet për veprën penale “Kanosje”.