Mbi 30 mijë aplikime nga diaspora për t’u regjistruar si votues

11.12.2024

Nga 29 gushti kur ka filluar aplikimi për regjistrimin e votuesve nga diaspora, deri më 11 dhjetor janë bërë mbi 30 mijë aplikime ndërsa 1,990 janë refuzuar.

Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit, raporton Ekonomia Online.

Në fillim të mbledhjes së KQZ-së u prezantua raporti lidhur me ecurinë e zbatimit të planit të aktiviteteve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Ndërsa, është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.

“Në bazë të të dhënave, deri më 11 dhjetor, në orën 09:00, pas aplikimit përmes platformës elektronike (http://diaspora.kqz-ks.org) janë aprovuar 30,656 kërkesa për regjistrim, ndërsa 1,990 janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre dhe gjithashtu aplikuesit e refuzuar njoftohen se mund të ri-aplikojnë për regjistrim dhe të bashkëngjisin dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”.

Gjithashtu, është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.