Spektakel në Prizren: 11-vjeçari drejton Lamborghini pa regjistrim, policia konfiskon automjetin
Një ngjarje e pazakontë ka tronditur qytetin e Prizrenit, ku një djalë vetëm 11 vjeç është kapur duke drejtuar një automjet luksoz të markës Lamborghini.
Incidenti ka ndodhur më 21 nëntor, rreth orës 16:05, në fshatin Zhur.
Gjatë një patrullimi të rregullt, policia ka vënë re automjetin pa targa dhe e ka ndaluar. Pas kontrollit, është zbuluar se shoferi ishte një fëmijë prej vetëm 11 vjeç, ndërsa bashkë me të ndodhej edhe babai i tij.
Pronari i automjetit nuk ka mundur të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin e mjetit. Si pasojë, policia ka vendosur të konfiskojë automjetin dhe të dërgojë të dy personat në stacionin policor.
Babai i 11-vjeçarit është gjobitur për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia e Kosovës bën thirrje:
Policia e Kosovës thekson rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe përgjegjësisë së prindërve për fëmijët e tyre. Ngjarje të tilla jo vetëm që rrezikojnë jetën e fëmijëve, por edhe të shoferëve të tjerë.
