Pas Maqedonisë së Veriut, Kosova me çmimet më të ulëta të naftës në rajon, nuk pritet të ketë rritje
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka njoftuar për një stabilitet të vazhdueshëm në çmimet e derivateve të naftës në tregun vendas gjatë dy muajve të fundit. Sipas tij, këto çmime janë të pranueshme për konsumatorët dhe nuk pritet ndonjë rritje e tyre në të ardhmen e afërt.
“Aktualisht, një litër naftë në Kosovë sillet mes 1.17 dhe 1.27 euro, ndërsa benzina mes 1.19 dhe 1.26 euro. Edhe pse ka pasur lëvizje të vogla në çmime, ato kanë qenë të parëndësishme dhe tregu në përgjithësi ka qenë shumë stabil”, ka deklaruar Berjani.
Duke krahasuar çmimet e derivateve në Kosovë me ato të vendeve të tjera në rajon, Berjani thekson se Kosova është një nga vendet me çmimet më të ulëta, menjëherë pas Maqedonisë së Veriut. “Në shtete si Shqipëria dhe Serbia, çmimet e derivateve janë shumë më të larta, duke arritur deri në 1.80-90 euro për litër”, ka shtuar ai.
“Në konsideratë të standardit të jetesës në Kosovë, çmimi real i një litri naftë do të duhej të ishte rreth 1 euro. Megjithatë, qytetarët shpesh ankohen për çmimet e larta të karburanteve”, ka theksuar Berjani.
Stabiliteti i çmimeve në tregun e naftës së Kosovës vjen si rezultat i një sërë faktorësh, përfshirë situatën në tregjet ndërkombëtare të naftës dhe politikat e qeverisë në fushën e energjetikës.