Transparenca buxhetore 2023, Suhareka shënon progres të dukshëm, merr 95 pikë nga 100 të mundshme

11.11.2024

Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2023”.

Në një komunikatë për media GAP thotë se ky raport paraqet vlerësimin e tetë të Institutit GAP mbi transparencën buxhetore të komunave në Kosovë.

Termi transparencë buxhetore i referohet dhënies së plotë të informacionit buxhetor përkatës në kohë dhe në mënyrë sistematike. Publikimi i dokumenteve buxhetore në kohë dhe në formate që lejojnë përdorim të lehtë të të dhënave do të mundësonte bashkëpunim dhe përfshirje të palëve, sikurse organizatave të shoqërisë civile, qytetarëve dhe institucioneve tjera, në proceset buxhetore, monitorimin dhe analizimin e tyre.

Përveç kësaj, transparenca buxhetore ndikon në rritjen e llogaridhënies, besimit në institucione, parandalimin e keqmenaxhimit të parasë publike dhe përmirësimin e cilësisë së vendimeve buxhetore.