Selmanaj kërkon lirimin e Dakajt: Shteti nuk ka ndërmarrë asgjë
Përfaqësuesi i grupit parlamentar të LDK-së, Driton Selmanaj, ka kërkuar vëmendje nga institucionet e vendit për angazhim ndaj rastit të arrestimit të ish-luftëtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj.
Tashmë janë bërë 1 muaj e 5 ditë nga arrestimi i tij nga policia serbe në Merdar, teksa ai po udhëtonte me vëllanë e tij.
“Informatat e familjarëve, të siguruara nga avokati i caktuar nga gjykata e Serbisë, tregojnë se ai po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Beograd. Nga regjimi dhe autoritetet në Serbi po akuzohet për krime lufte në Kosovë. Është e papranueshme dhe e pakuptimtë mungesa e përkushtimit të bartësve të institucioneve të Kosovës për lirimin e Hasanit. Është folur dy ditë pas arrestimit të tij dhe nuk është ndërmarrë asgjë”, ka thënë Selmanaj.
PDK kundërshton projektligjin për KPM-në: Minim i aspiratës për BE
(11:20) Blerta Deliu – Kodra e ka quajtur sulm ndaj demokracisë Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Medie, i cili kërkon ndryshimin e rregullimit të medieve online nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror.
“Këto ndryshime dekurajojnë gazetarët të raportojnë për çështje me interes publik nga frika e hakmarrjes shtetërore. Kontrolli shtetëror i medias minon edhe aspiratën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë deputetja e PDK-së.
Ajo ka kërkuar rishqyrtim të projektligjit para se të bëhet vonë për sa i përket arenës ndërkombëtare.
Ndryshon rendi i ditës, shqyrtohet marrëveshja me BE-në për digjitalizim
(11:05) Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar ndryshimin e rendit të ditës dhe shqyrtimin e përshpejtuar të projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së, “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027”.
Vendimi është marrë me 61 vota për, 23 kundër dhe asnjë abstenim, teksa kërkesën e shtruar nga deputetja Jeta Statovci, e kanë kundërshtuar partitë opozitare.
“Ju e dini që Kosova është nën sanksionet nga BE. Kot e miratojmë me procedurë të përshpejtuar këtë marrëveshje kur kjo nuk do të zbatohet. Kjo për neve është e palogjikshme dhe e papranueshme”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Miratimi i kësaj marrëveshje është mëse i kot sepse Kosova ka sanksione dhe është e përjashtuar edhe nga ky projekt”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se shqyrtimi i kësaj marrëveshje është i nevojshëm.
(11:00) Dështon miratimi i rezolutës për uljen e çmimit të energjisë elektrike
Me 55 abstenime, asnjë votë kundër dhe 29 vota pro, ka dështuar miratimi i rezolutës për çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.
Kjo rezolutë ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, dhe përmbante pesë pika. Në njërën nga to theksohej anulimi i vendimit për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.
(10:27) Deputetët e Listës Serbe rikthehen në Kuvend, nis seanca
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca, ku njëra nga to do të jetë vazhdim i seancës së jashtëzakonshme të 18 janarit, ndërsa tjetra seancë plenare.
E të pranishëm janë edhe deputetët nga Lista Serbe, të cilët kanë ardhur në Kuvend pas shumë muajsh mungesë.
Megjithatë, rikthimi i tyre në Kuvend me gjasë ka të bëjë me praktikën e tyre të zakonshme për verifikim si deputet dhe mos humbje të mandatit, ngase sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, pika 5, mandati i deputetit përfundon kur ai mungon gjashtë muaj rresht në seancat e Kuvendit.
Në rendin e ditës së seancës plenare do të jenë plot 50 pika, e që ajo e 13-ta do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në IML, zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari dhe çdo veprim e mosveprim të ministrisë, që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.