Kosova planifikon të nisë rimbursimin për kthimin e shisheve plastike dhe kanaçeve
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se shumë shpejt do të nisë sistemi i rimbursimit për shishet plastike, shishet e qelqit dhe kanaçet.
Kjo ministri ka njoftuar të gjithë të interesuarit për Aplikim për Administrator të Sistemit të Rimbursimit të Depozitave (SRD), që do të publikohet më 20.02.2024.
“Sistemi i Rimbursimit të Depozitave do të ulë ndjeshëm ndotjen nga shishet plastike, shishet e qelqit dhe kënaçet e aluminit. Sistemi i rimbursimit të depozitave është një mekanizëm ku konsumatorët paguajnë një depozitë për produkte si shishe plastike ose të tjera dhe pastaj marrin këtë depozitë përsëri kur kthejnë produktin e zbrazët”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ky sistem inkurajon riciklimin dhe ndihmon në zvogëlimin e mbeturinave, duke nxitur kështu përgjegjësinë mjedisore dhe rikthimin e burimeve.