Pacolli merr dy vendime: ndalet transferimi i tokave ujore dhe rishikohen lejet për hidrocentralet
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar për dy vendime të rëndësishme që synojnë mbrojtjen e resurseve natyrore në vend.
Vendimi i parë ndalon në mënyrë të rreptë transferimin e pronësisë së tokave ujore nga zyrtarët publikë, pa respektuar dispozitat e Ligjit për Ujërat e Kosovës.
Ky hap vjen pas konstatimeve se në disa komuna janë realizuar ose janë në proces transferime të tilla në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ndërkohë, vendimi i dytë parasheh fillimin e procedurave për ndërprerjen e lejeve ujore për hidrocentralet e vogla që nuk përmbushin kriteret teknike.
Pas inspektimeve të realizuara, është evidentuar se një numër i konsiderueshëm i tyre operojnë jashtë standardeve të kërkuara.
Sipas vendimit, operatorët do të kenë një afat tranzitor prej gjashtë muajsh për të ndërmarrë masat e nevojshme dhe për t’u përshtatur me kërkesat ligjore dhe teknike.
Këto masa, sipas ministres, janë të domosdoshme për të parandaluar keqpërdorimet dhe për të garantuar mbrojtjen e burimeve ujore në Kosovë.
