Fitore Pacolli prezanton 6 projektligje prioritare për mjedisin dhe planifikimin hapësinor

25.02.2026

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se përmirësimi i cilësisë së jetës dhe mbrojtja e mjedisit janë ndër prioritetet kryesore të mandatit të saj.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministrja Pacolli ka njoftuar se ministria që ajo drejton do të shtyjë përpara gjashtë projektligje kyçe, të cilat synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në mbrojtjen e mjedisit.

Sipas saj, projektligjet prioritare janë: Projektligji për Mbrojtjen e Mjedisit, Projektligji për Mbrojtjen e Natyrës, Projektligji për Mbeturina, Projektligji për Planifikim Hapësinor, Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm, si dhe Projektligji për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit.

Ministrja Pacolli ka theksuar se këto iniciativa ligjore synojnë forcimin e kornizës ligjore për mbrojtjen e mjedisit, rregullimin e planifikimit hapësinor dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e vendit.