Zvicër, shkatërrohet klubi i paligjshëm i lojërave të fatit, arrestohet 34-vjeçarja shqiptare
Një operacion i përbashkët i policisë kantonale të Cyrihut dhe policisë komunale të Regensdorf çoi në shkatërrimin e një klubi ilegal lojërash fati në rrethin industrial të Regensdorf të mërkurën mbrëma.
Gjatë bastisjes, u arrestuan tre persona, përfshirë një shqiptare 34-vjeçare.
Sipas një deklarate të policisë, hetimet paraprake kishin zbuluar aktivitetet e dyshimta në këtë lokal, i cili ishte maskuar si një klub i zakonshëm. Kur policia hyri në lokal, gjeti rreth një duzinë personash të përfshirë në lojëra të paligjshme të fatit.
Gjatë kontrollit të lokalit, policia sekuestroi dhjetëra mijëra franga në para cash, si dhe pajisje të ndryshme të përdorura për lojërat e fatit. Tre persona u arrestuan dhe u morën në pyetje. Bëhet fjalë për një zviceran 46-vjeçar, një irakian 43-vjeçar dhe një shqiptare 34-vjeçare.
Të arrestuarit do të duhet t’i përgjigjen autoriteteve për shkelje të ligjit të lojërave të fatit dhe ligjeve të tjera.