Zvicër, gjysmë toni kokainë në fabrikën e Nespresso-s, arrestohen dy shqiptarë

09.02.2024

Dy shqiptarë janë arrestuar në Itali në kuadër të hetimit për kokainën që u sekuestrua në një fabrikë kafeje zvicerane në vitin 2022.

Zvicër, gjysmë toni kokainë në fabrikën e Nespresso-s, arrestohen dy shqiptarë Foto: Kokaina në fabrikën Nespresso në Romont, Policia kantonale e Freiburgut

Në maj 2022, policia kantonale e Friburgut konfiskoi 500 kilogramë kokainë në fabrikën Nespresso në Romont. Punonjësit e Nespresso zbuluan një substancë të bardhë të panjohur gjatë shkarkimit të kokrrave të kafesë nga Brazili. Zyrtarët më pas gjetën kokainë me një pastërti prej 80 për qind në gjithsej gjashtë kontejnerë. Vlera e shitjes në treg u vlerësua në mbi 50 milionë franga.

Hetimi për rastin kohët e fundit kishte ngecur nga ana e prokurorisë publike të Freiburgut. Por pastaj zyra e prokurorit publik në Basel-Landschaft mori përsipër. Tashmë dy të dyshuar nga Shqipëria janë arrestuar me urdhër të Zvicrës, shkruan 20 Minuta . Të dy janë të vendosur në Lombardi në Italinë veriore. Siç raportoi një media shqiptare, njëri prej të dyve kishte kryer tashmë një krim, përfshirë këtu edhe në Tiranë. Burri tashmë është ekstraduar, siç raporton “ 24heures ” duke iu referuar një raporti nga “ Gotham City ”.

Dy ditë para se malli të zbulohej në Romont, dy burrat thuhet se janë përpjekur më kot të nxjerrin drogën nga kontejneri në Frenkendorf (BL). Megjithatë, organizatorët e supozuar të dërgesës së kokainës nuk mundën kurrë të kapnin pluhurin e bardhë, sepse ngarkesa ishte dërguar tashmë në Glâne.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se kokaina, e cila dërgohej në thasë kafeje, nuk ishte e destinuar për kompaninë Nespresso në Romont. Kokaina kishte udhëtuar në një kontejner nga Santos në Brazil në Antwerp në Belgjikë përpara se të arrinte në Romont me hekurudhë.

Prokuroria publike e Basel-Landschaft shkruan se tre persona deri më tani janë dërguar në mbajtje në kuadër të hetimeve. Hetimi vazhdon.