Vjedhje gjysmë milioni, tre shqiptarë përballen me drejtësinë në Zvicër për 40 vjedhje
Tre shtetas shqiptarë po përballen me drejtësinë zvicerane, të akuzuar për një seri prej 40 vjedhjesh me thyerje në disa rajone të Zvicrës. Ata dyshohet se kanë përfituar rreth 500,000 franga zvicerane përmes plaçkitjeve, ndërsa dëmi material i shkaktuar përllogaritet mbi 75,000 franga.
Foto: Ilustrim
Sipas autoriteteve zvicerane, vjedhjet janë kryer midis tetorit 2023 dhe tetorit 2024, duke përfshirë zona nga Liqeni i Gjenevës deri në Winterthur. Tre të dyshuarit, të moshës 27 deri në 38 vjeç, u arrestuan në St-Imier të kantonit të Bernës në fund të tetorit të kaluar. Gjatë kontrollit të automjetit të tyre, policia zbuloi mjete vjedhjeje dhe mallra të vjedhura.
Sipas hetimeve, të dyshuarit vepronin pa shumë kujdes, duke hyrë në shtëpi edhe kur kishte njerëz ose qen brenda, dhe në disa raste ktheheshin në lagjet ku kishin vepruar më parë. Prokuroria e Bernës ka ngritur akuza për vjedhje të kryer në grup, ndërsa të tre janë në paraburgim që nga momenti i arrestimit.
Njëri nga të akuzuarit ka edhe të kaluar kriminale, pasi sipas dosjes akuzohet për nëntë vjedhje të tjera në vitet 2012 dhe 2022, me një dëm që kalon 100,000 franga zvicerane.
Aktualisht, ata po gjykohen nga Gjykata Rajonale e Bernës Oberland në Thun, ku pritet të dalin para drejtësisë për veprat penale që u ngarkohen.