Zgjedhjet Lokale – Qelaj: Janë hapur të gjitha qendrat e votimit në Suharekë

12.10.2025

Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet lokale ku qyetarët do të kenë mundësi që të votojnë për kandidatët e tyre që do të udhëheqin në katër vitet e ardhshme.

Në këtë komunë janë të hapura gjithsej 35 qendra votimi, prej të cilave 34 janë të rregullta dhe një me kusht.

Sipas informacioneve të siguruara nga SuharekaOnline, drejtori i Komisionit Komunal Zgjedhor në Suharekë, Skender Qelaj, ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohë dhe procesi ka nisur sipas planit.

“Gjithçka ka filluar në mënyrë të rregullt dhe pa ndonjë problem. Qendrat janë të hapura dhe presim një pjesëmarrje të mirë nga qytetarët,” ka deklaruar Qelaj për SuharekaOnline.

Në garë për pozitën e kryetarit të Komunës së Suharekës janë katër kandidatë, të cilët gjatë fushatës kanë paraqitur platformat e tyre dhe kanë kërkuar besimin e qytetarëve për t’i udhëhequr për një mandat katërvjeçar.

Zgjedhjet lokale përbëjnë një moment të rëndësishëm demokratik, ku qytetarët kanë mundësinë të ndikojnë drejtpërdrejt në qeverisjen lokale dhe zhvillimin e komunës së tyre. Procesi do të vëzhgohet nga komisionerë dhe vëzhgues të pavarur për të siguruar mbarëvajtjen dhe transparencën e zgjedhjeve.

SuharekaOnline do të vazhdojë të raportojë në kohë reale për rrjedhën e zgjedhjeve dhe rezultatet e para, sapo të jenë të disponueshme.