Sot përfundon afati i regjistrimit, Suhareka prin me numrin më të madh të votuesve nga diaspora
Sot, më 29 gusht 2025, në orën 23:59 përfundon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, përmes votimit me postë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga data 23 korrik e deri më 29 gusht 2025 (ora 09:00), janë pranuar gjithsej 44,707 aplikime për regjistrim, prej të cilave 36,299 janë aprovuar, ndërsa 7,945 janë refuzuar.
Suhareka me numrin më të madh të votuesve të regjistruar
Në mesin e komunave me numrin më të madh të bashkatdhetarëve të regjistruar nga jashtë Kosovës prin Suhareka me 2,759 votues, duke lënë pas Gjakovën me 2,697, Dragashin me 2,560, Prizrenin me 2,328, Deçanin me 2,078 dhe Klinën me 2,009.
Ky numër i lartë i votuesve nga diaspora dëshmon interesimin e madh të mërgimtarëve suharekas për të marrë pjesë në procesin zgjedhor në vendlindje.
Shtetet me më shumë votues të regjistruar
Sipas KQZ-së, pjesa më e madhe e aplikimeve ka ardhur nga vendet ku jeton një numër i madh i diasporës kosovare:
- Gjermania – 17,131 votues
- Zvicra – 8,862 votues
- Austria – 1,909 votues
- Italia – 1,631 votues
Ndërkaq, shtete të tjera si Franca, Sllovenia, Suedia dhe Belgjika po ashtu kanë shënuar qindra aplikime.
Afati përfundimtar
KQZ kujton se procesi i regjistrimit do të jetë i hapur vetëm deri në orën 23:59 të datës 29 gusht 2025, pas së cilës aplikimet e reja nuk do të pranohen. Lista e aplikimeve të aprovuara dhe të refuzuara do të finalizohet në ditët në vijim.
