Shaqir Kryeziu, kandidat për deputet nga LDK-Dega në Suharekë
Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do mbahen më 9 shkurt të vitit 2025 tashmë kanë nisur të sjellin edhe emrat e kandidatëve që do ti hyjnë garës për deputet.
Dega e LDK-së në Suharekë tashmë ka filluar zyrtarizimin e kandidaturave të anëtarëve të saj. Shaqir Kryeziu, ish-funksionar në Komunën e Suharekës, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për deputet në zgjedhjet parlamentare.
Kryeziu ka bërë të ditur se ai ka pranuar kandidaturën në mbledhjen e kryesisë së degës së LDK-së në Suharekë, njëkohësisht duke premtuar që do të jetë zëri i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës me bagazhin e tij politik dhe profesional prej mbi 25 viteve.
“Me kënaqësi, përgjegjësi dhe përkushtim të plotë, ju njoftoj që në Mbledhjen e Kryesisë së Degës së LDK në Suharekë, une kam pranuar kandidaturë për të qenë kandidat për deputet nga LDK, duke përfaqësuar degën e LDK në Suharekë.
Duke qënë një bashkqytetar i juaji me nje aktivitet politik e profesional me mbi 25 vite, në Komunën e Suharekës kam menduar që mund të jem edhe zëri i juaj në Kuvendin e Kosovës, duke punuar për të adresuar çështje të rëndësishme për qytetarët tanë.
Gjatë punës si Specialist në Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Suharekës, që nga viti 2002, jam njohur me problemet dhe hallet e qytetarëve tanë, prandja do të mundohem të jem zëri promovues i sektorit bujqësis si themeli i zhvillimit të qëndrueshëm, dhe unë besoj në potencialin e saj për të krijuar vende pune dhe rritje ekonomike.
Faktor me rendësi ka qenë edhe përvoja ime në rrugëtimin tim jetësor me Lidhjen Demokratik të Kosovës-LDK duke sherbyer ne këtë rrugëtim, si anëtar i Kryesisë së LDK në degën e Suharekës për disa mandate, si asambleist komunal dhe anëtar e veprimtar që nga ditët e para të themelimit duke kontribuar në të gjitha kohët, aktivitetet dhe strategjitë e saj në Suharekë dhe Kosovë” thuhet në njoftimin e Kryeziut.