Lladrovci ndan foto të tij me Ramë Vatajn – Një miqësi e gjatë e vuajtjeve dhe triumfeve!
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur mbështetjen e tij të fuqishme për kandidaturën e profesorit Ramë Vataj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në një postim në rrjetet sociale, Lladrovci ka vlerësuar lartë kontributin e Vatajt në politikën dhe shoqërinë kosovare. “Me Ramën, me dekada i kemi pasur vuajtjet, gëzimet e hidhërimet e përbashkëta, shoqërimin dhe idealet e përkushtimit atdhetar”, ka shkruar Lladrovci.
Kryetari i Drenasit ka theksuar se kandidatura e Vatajt është një pasuri e madhe për Listën e PDK-së dhe se do të pasurojë punën e Kuvendit të Kosovës. “Kandidatura e tij për deputet, është vlerë e Listës së PDK-së, do të jetë vlerë e përbërjes së re kuvendore, duke ndjekur agjendën e vlerave që përfaqëson ai dhe shokët e tij”, ka shtuar ai.
Lladrovci ka shprehur besimin se me një qeveri të udhëhequr nga Bedri Hamza, Kosova do të shkojë drejt një të ardhme më të mirë. “Uroj që Prof. Dr. Ramë Vataj të ketë sukses në garën zgjedhore, bashkë me kontribuuesit e lirisë, shtetformimit, shtetndërtimit dhe bartësve të vlerave të spikatura të atdheut tonë në Kuvendin e ri të Kosovës me Bedri Hamzën kryeministër, për Kosovën ma mirë”, ka përfunduar Lladrovci.