LDK premton revolucion në sport: Stadiumi i ri kombëtar, pallati olimpik dhe investime të mëdha në infrastrukturë

para 42 dite

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar sot një vizion ambicioz për zhvillimin e sektorit të sportit në vend.

LDK premton revolucion në sport: Stadiumi i ri kombëtar, pallati olimpik dhe investime të mëdha në infrastrukturë

Sipas tij, një qeverisë e udhëhequr nga LDK do të bëjë investime të mëdha në infrastrukturën sportive, me qëllim të modernizimit të sektorit dhe rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në aktivitete fizike.

Një nga projektet më të mëdha të propozuara nga Abdixhiku është ndërtimi i Qendrës së Re Sportive në Bërnicë, e cila do të përfshijë një stadium kombëtar modern me kapacitet prej 25-30 mijë vendesh, një pallat olimpik dhe një pishinë olimpike. Kjo qendër, sipas tij, do të jetë një investim prej 100 milionë euro dhe do të shërbejë si një simbol i një Kosove të re dhe moderne.

“Kemi qëllim të ndërtojmë pesë stadiume të tjera rajonale të kategorisë UEFA 3 dhe 4, për t’i përmbushur nevojat e futbollit kosovar në vend”, tha Abdixhiku. Ai shtoi se do të ndahen rreth 30 milionë euro për renovimin e palestrave ekzistuese dhe se do të rritet numri i orëve të edukatës fizike në shkolla.

Duke pasur parasysh organizimin e Lojërave Olimpike Mesdhetare në të ardhmen e afërt, Abdixhiku theksoi se këto katër vitet e ardhshme duhet të shihen si një mundësi unike për të modernizuar infrastrukturën sportive të vendit dhe për të ngritur nivelin e sportit kosovar.

“Ne kemi një plan të guximshëm, kemi investime të mëdha, kemi projekte transformuese, që sportin e Kosovës do ta bëjnë krenari kombëtare”, u shpreh kreu i LDK-së.

Etiketat

Ofertat e fundit