KQZ: 40 mijë emra të të vdekurve hiqen nga lista e votuesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se që nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në vitin 2021, rreth 40 mijë emra të personave të ndjerë janë larguar nga lista e votuesve.
Këtë të dhënë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Sipas tij, ky proces është në përputhje me ligjin dhe ka për qëllim të sigurojë që lista e votuesve të jetë sa më e saktë dhe e përditësuar.
“KQZ-ja mban Listën e votuesve dhe siguron që e njëjta bazohet në të dhënat e sakta, të përditësuara dhe më të fundit të Regjistrit Qendror Civil,” theksoi Elezi. Ai shtoi se lista përditësohet në mënyrë sistematike, duke hequr personat e vdekur dhe ata që kanë hequr dorë nga shtetësia.
Përpjekje për një listë më të saktë
Heqja e emrave të të vdekurve nga lista e votuesve është një proces i rëndësishëm për të garantuar integritetin e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, parandalohet mundësia e votimit në emër të personave të tjerë dhe sigurohet që vetëm qytetarët me të drejtë vote të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
“Certifikimi i Listës së Votuesve është planifikuar të bëhet në fillim të vitit 2025 dhe atëherë do të kemi të saktë numrin e votuesve të larguar si të vdekur nga lista votuese që pas Zgjedhjeve Lokale 2021,” tha Elezi.